Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Metës për “Policinë e Shtetit”/ Lleshaj: Përgjimi parandalues rregullohet me ligj e nuk përdoret si provë

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka vendosur me shumicë votash të rrëzojë dekretin e Presidentit Ilir Meta, për kthimin e ndryshimeve në ligjin për “Policinë e Shtetit”.

Gjatë shqyrtimit të dekretit në Komisionin e Sigurisë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se ky ligj respekton të drejtat e njeriut. Ai u shpreh se përgjimet ambientale do t’i kërkojnë vetëm komisarët. Punonjësit e policisë, me ndryshimet e reja, parashikohet të kenë mundësi të ngrihen në detyra shtetërore, me kushtin për të hequr dorë nga statusi i policit për t’u punësuar si civil.

“E gjithë iniciativa për ndryshimin e ligjit të Policisë së Shtetit bazohet tek neni 221 dhe 222 të Kodit të Procedurës Penale. Në nenet përcaktohet qartë se regjistrimi i fshehtë fotografik, fshehtë, apo me video në vende publike, në kuadër të procedimit procedurial, lejohet vetëm me propozimin e prokurorisë. Nga ky përcaktim ligjor smund të ketë devijim dhe nuk mund të ndryshohet nga një ligj që ndryshon me një ligj të thjeshtë. Roli i prokurorisë nuk preket, por Presidenti me dashje apo jo ka harruar pikën 5, që thotë se përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë e nuk përdoret si provë, por shërbejnë për parandalimin e mundësisë për t’u realizuar një vepër penale”,- tha Lleshaj

Bledar Dervishaj, përfaqësues i Presidencës në komision u shpreh se ligji, shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas tij, “ligji bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me garancitë për ruajtjen e privatësisë, duke rrezikuar ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj”.

Deputetja e Partisë Socialiste, Antonenta Dhima, në fjalën e saj është shprehur se presidenti ka ecur me teori subjektive dhe konspirative.

“Është e qartë që jemi në harmoni të plotë me detyrat e shtetit në kohë zgjedhjesh, në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Nuk ka prapaskena të prezumuara. Në komentet e tij Presidenti ka ecur me teori subjektive dhe konspirative”, u shpreh deputetja Dhima.

Pro dekretit ka votuar deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi, i cili i dha të drejtë argumenteve të Presidentit. “I jap të drejtë zyrës juridike të Presidencës për arsyet që mos kalojë në Kuvend. Do i bënte mirë mazhorancës që ta shtynte këtë ose të lihet pezull deri pas 25 prillit”,- tha Murrizi.

Ndërkohë pjesa tjetër e Komisionit votoi kundër dekretit të Presidentit duke e rrëzuar atë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.