Kolaudimi i mjeteve/ Balluku: Nga 1 janari nga shteti e me çmime më të ulëta, s’ka koncesion tjetër

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Nga 1 janari i vitit 2021 do të kemi një qasje totalisht të re për sa i përket kontrollit të automjeteve, i cili do të kryhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

Kështu deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë televizive.

“Koncesioni i SGS-së mbyllet në vitin e 11-të pasi ka pasur 10 vite dhe kemi bërë një shtesë 1-vjeçare thjesht për t’i dhënë kohë menaxhimit të ndryshuar. Unë nuk jam këtu për të gjykuar koncesionet e para 10 viteve. Kalimi i këtij shërbimi edhe njëherë tek DPSHTR-ja është gjëja më e mirë që shteti shqiptar mund të bëjë”, – tha Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “sot që flasim kjo drejtori është një nga drejtoritë me shërbimin më të lartë e më cilësor, e vërtetuar sipas të gjitha anketimeve që kemi bërë në të gjitha rastet gjatë gjithë vitit për këtë lloj shërbimi. Rankohet në një nga shërbimet më të mira të ofruara nga Drejtoria e Transportit Rrugor, për disa arsye për zhdukjen e radhëve, çmimet janë shumë më të ulëta se ç’ishin deri para pak vitesh, pasi ofrohet një shërbim i shpejtë e online, pa kosto të fryra operacionale, pra më shumë sportele”.

“Përmes DPSHTRR shërbimi do të ofrohet më i mirë, çmimet do të jenë më të ulëta, ne i kemi kapacitetet në atë drejtori qoftë për ekspertizën e burimeve njerëzore, qoftë sa i përket të gjitha pikave që koncesionari do të lëshojë. Koncesionari e ka detyrim që të dorëzojë në gjendje funksionale shumë të mirë të gjitha pikat që ai ka operuar. Nga momenti që DPSHTRR e merr këtë shërbim nën mbikëqyrje sigurisht ne do të merremi menjëherë pas janarit me pjesën e liberalizimit të tregut, që ka qenë gjetje e KLSH dhe Autoritetit të Konkurrencës”, – nënvizoi Balluku.

Sipas saj, gjatë 2021 të gjithë drejtuesve të automjeteve do t’u ofrohet ky shërbim nga shteti, ne do të gjejmë instrumentet e duhur për të liberalizuar këtë treg.

Ministrja e Infrastrukturës duke hedhur poshtë akuzat se kjo lëvizje i hap rrugën një koncesioni të ri, sqaroi se “nuk ka asnjë parashikim për të pasur një koncesionar tjetër, nëse do të kishte një koncesion tjetër do ta vazhdonim menjëherë. Në buxhetin e 2021 nuk rezulton asnjë shumë parash e vendosur në shërbim të një koncesioni të ardhshëm”. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.