IPARD II, thirrja e tretë/ 29.1 milionë euro grante në mbështetje të fermerëve dhe agrobiznesit

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Një seri investimesh të reja pritet të nisin vitin e ardhshëm, kur hapet thirrja e tretë e financimit nga programi IPARD II (10 dhjetor 2020 – 25 janar 2021) për fermat bujqësore, vreshtat, produktet e mishit e qumështit, përpunimin e perimeve dhe mekanikë bujqësore dhe parashikohet të disbursohen edhe 29.1 milionë euro grante për fermerët dhe agrobiznesin që investojnë në këta sektorë.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, nga data 10 dhjetor agrobizneset dhe fermerët mund të nisin të aplikojnë për grante nga fondi prej 29.1 milionë euro i vendosur në dispozicion nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare për mbështetjen e sektorit bujqësor.

Thirrja e tretë e Programit IPARD II financon Masën 1: “Investime në sektorin e bujqësisë dhe për mekanikë bujqësore” me buxhet total 21.5 milionë euro dhe Masën 3: “Investime në sektorin e përpunimit të perimeve” me një buxhet prek 7.6 milionë euro.

Masa 1 financon aplikantët për më shumë se një projekt investimi, me një fond deri në 1,5 milionë euro ose deri në 60% të vlerës totale të investimit.

Ndërsa masa 3 financon aplikantët deri në 2 milionë euro, ose deri 50% të totalit të investimit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.