Gara ndërkombëtare për tunelin e Llogorasë më 14 dhjetor, në fund të marsit nisin punimet

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se në fund të muajit mars 2021 do të nisin punimet për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Gjatë një interviste televizive Balluku theksoi se, “gara për ndërtimin e tunelit të Llogorasë do të hapet i bazuar në fondet buxhetore të shtetit shqiptar në datë 14 dhjetor. Gara do të jetë ndërkombëtare, pasi ky tunel është i vlerësuar me një shumë të konsiderueshme, që e fut në rangun e garës ndërkombëtare. Do të qëndrojë i hapur për 60 ditë, duke pasur parasysh edhe kohën festive që është më shumë se një javë”.

Ministrja u shpreh se do të kemi edhe një fitues për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

“I gjithë projekti inxhinierik është bërë nga një kompani shumë prestigjioze austriake, e cila e fitoi këtë garë me më shumë se 7 pjesëmarrës të tjerë nga vende europiane”, – tha Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “kantiere të tjera do të hapen, pasi në 23 dhjetor ne mbyllim garën e shumëpritur për sa i përket aeroportit ndërkombëtar të Vlorës”.

“Aeroporti i Vlorës është koncesion. Shteti në këtë aeroport do të garantojë minimumin e trafikut, kjo do të ndodhë vetëm për 10-vjeçarin e parë”, – tha Balluku.

Ministrja Balluku e konsideroi Vlorën ekonominë më të madhe premtuese për vitet e ardhshme.

“Paketa infrastrukturore e Vlorës që është tuneli i Llogorasë, bypass-i është një paketë e mirëstudiuar e cila ndihmon Republikën e Shqipërisë për të ngritur një turizëm të bazuar mbi infrastrukturën dhe jo një turizëm të paorganizuar”, – tha Balluku.

Balluku tha se, “në bypass-in e Vlorës sot janë realizuar mbi 54% e punimeve dhe po lidhen 5 nga urat. Më të mëdhatë i kemi mbaruar, ne e dorëzojmë këtë bypass para mbylljes së sezonit turistik”.

Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.