Falsifikim dokumentesh/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dënon ish-anëtarin e KPA, Luan Daci

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shpalli fajtor ish-anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit Luan Daci për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas vendimit, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 12 muaj prove.

Vetë Luan Daci u shpreh se do ta apelonte vendimin pas përfundimit të seancës.

Luan Daci është zyrtari i parë i organeve të Vetting-ut që përballet me drejtësinë ndërkohë që KPA e ka pezulluar nga detyra menjëherë pasi u mor i pandehur.

Prokuroria kërkoi 1 vit burg për Luan Dacin anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit për të cilin ishte ngritur akuza për falsifikim dokumentesh. Prokuroria e Posaçme e akuzoi Luan Dacin se ka falsifikuar dokumentet me qëllim fitimin e postit si gjyqtar i posaçëm i Kolegjit të Apelimit.

Në sajë të hetimeve ka rezultuar se gjyqtari i KPA nuk ka deklaruar një masë administrative të marrë në vitin 1997. Në atë kohë Këshlli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar Dacin nga detyra e gjyqtarit, për paaftësi dhe shkelje të ligjit.

Është pikërisht kjo shkelje që nuk e kualifikonte Dacin për të mbajtur statusin e prokurorit ose gjyqtarit dhe për këtë nuk mund të jetë më pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.