Diversifikimi i investimeve në energjetikë zgjeroi kreditimin në 7.3 miliardë lekë, këtë 9-mujor

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Diversifikimi i investimeve në sektorin energjetik, përveç HEC-ve edhe në parqe fotovoltaike, apo eolike, është mbështetur nga zgjerimi i kreditimit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, totali i kredisë së re ka shfaqur ecuri pozitive edhe për sektorin e energjisë.

Sipas të dhënave nga BSH-ja, kredia e re për këtë sektor arriti vlerën 7.3 miliardë lekë, gjatë 9-mujorit 2020 duke shënuar një rritje me 16.5% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë energjetika është sektori që po vijon të udhëheqë investimet e huaja direkte në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, për gjysmën e parë të vitit, vijon të jetë i përqendruar në sektorin e energjitikës, në masën 38%, i ndjekur nga sektori i ndërmjetësimit financiar në masën 21% telekomunikacionit në masën 11% dhe sektori i hidrokarbureve me 7%.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte kapën vlerën 454 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Ndërkohë që për tremujorin e parë 2020 investimet e huaja direkte kishin vlerën e 227 milionë eurove, ku industria nxjerrëse dhe energjia sollën rreth 65% të investimeve totale.

Sektori i energjisë dominon investimet e huaja që nga fillimi i vitit 2016, falë projektit të madh në gazsjellësit Trans-Adriatik, por edhe shumë veprave të rëndësishme për prodhimin e energjisë hidrike. Shumica e këtyre investimeve tashmë janë drejt finalizimit ndërsa kanë nisur projekte të reja në këtë sektor kryesisht drejt investimeve në energjinë e rinovueshme, nga dielli dhe era.

Cikli i investimeve të mëdha në energjetikë dhe sektorin e hidrokarbureve pritet të rrisë ndjeshëm vlerën e investimeve të huaja për periudhën në vijon, shprehen ekonomistët. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.