Vreshta dhe ullishte në Farkë/ 850 milionë lekë mbështetje përfituan fermerët e zonës, ja historia e 70-vjeçarit Sinan Fusha

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Në njësinë administrative Farkë, pak kilometra larg Tiranës, 70- vjeçari Sinan Fusha me mbështetjen e fondeve nga qeveria, ka ngritur një sipërmarrje model në fushën e kultivimit të ullirit.

Me pasionin dhe dëshirën për bujqësinë, për të prodhuar në tokën e tij, pronë të trashëguar nga babai, në një sipërfaqe prej 6 mijë m2, Sinani na tregon, se vendosi të  investojë në ullishtari, si një biznes me leverdi për vete dhe familjen e tij.

“Me mbështetjen financiare, subvencionin nga qeveria, unë mora fidanët e ullinjve dhe nisa punën për ngritjen e ullishtarisë sime”, thotë Sinani.

“Faktikisht, na tregon ai, mbështetja financiare prej 900 mijë lekë që mora nga qeveria më dha një impuls, që unë të ecja përpara për të investuar në ujitje, apo shërbime të tjera që kërkon zhvillimi i ullirit. Dhe sot ullishtja që kam ngritur prodhon ullinj të cilësisë shumë të mirë dhe me rendiment të kënaqshëm”, u shpreh ai.

Me ullinjtë që mbledh nga ferma e tij, Sinani, prodhon kryesisht vajin e ullirit, të cilin e përdor për konsum familjar.

“Ullirin që unë kam mbjellë, të llojit “Frantoi”, është i një cilësie shumë të mirë dhe është përshtatur mjaft mirë për t’u zhvilluar në tokën e fermës sime. Ato prodhojnë çdo vit ullinj”, thotë Sinani.

Ai na tregon se, donte të ngrinte një ullishte model sipas të gjitha standardeve më të mira dhe për këtë, që në fillim mori konsulencë dhe ndoqi këshillimet e agronomit, ndërsa investoi për hapjen e pusit dhe ujitjen me pika të ullishtarisë, që është teknologji e fjalës së fundit për vaditjen në bujqësi.

“Me përkushtimin e përditshëm tek kjo sipërmarrje, unë jam bërë thuajse dhe vetë agronom. Këtë vit parashikoj të marr deri në 20 kv ullinj. Për mirëmbajtjen e ullishtës kujdesem vetë, por kam edhe dy-tre punonjës, ndërsa sezonin e vjeljes së ullinjve marr disa punëtorë, banorë të zonës”, tha Sinani.

Vitet e fundit fermerët e Farkës kanë shtuar investimet falë edhe mbështetjes me subvencione nga qeveria, për zgjerimin e sipërfaqeve me vreshta dhe ullishta, që janë dy nga degët kryesore të ekonomisë bujqësore që zhvillohen në këtë zonë.

Ardian Tufa, kryetari i njësisë administrative Farkë tha për ATSH-në se, “rreth 80% e fermerëve në zonën e Farkës kanë aplikuar këtë vit për të përfituar financim nga Skema Kombëtar e mbështetjes në Bujqësi apo programi IPARD II”.

Shpallja e  përfituesve të parë nga subvencionet e Skemës Kombëtare, ka nxitur edhe fermerët e tjerë të kësaj zone për të aplikuar, duke shtuar ndjeshëm interesin e komunitetit rural për të zhvilluar prodhimin në tokat e tyre.

“Rreth 850 milionë lekë kanë përfituar fermerët e njësisë administrative Farkë, për mbjelljet e ullishtave dhe vreshtave”, thotë Tufa.

Sipas tij, në këtë zonë janë 28 ferma me NIPT që kultivojnë ullinj krahas aktiviteteve të tjera. Ndërkohë që në Farkë janë ngritur edhe 3 fabrika moderne të përpunimit të ullirit dhe prodhimit të vajit, që i përgjigjen zhvillimit të ullishtarisë në këtë zonë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.