Sulmet për Rindërtimin/ Ndreu: 5 herë iu përmbyt Shkodra këtyre të PD-së kur ishin në qeveri

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu reagoi sot ndaj deklaratave të opozitës për rindërtimin, ndërsa kujtoi se për përmbytjet në Shkodër banorët u dëmshpërblyen vetëm nga qeveria Rama.

“5 herë për një vit iu përmbyt Shkodra këtyre të PD-së kur ishin në qeveri. Le që nuk bënë gjë prej gjëje nga rasti i parë në të pestin, por nuk ju dhanë kokërr leku banorëve si dëmshpërblim. Lekët i morën me qeverinë Rama në fakt”, tha Ndreu.

Ndreu tha se “këta që dinë të ‘zgjidhin’ çdo situatë si ajo e Shkodrës, kanë lëshuar gojën për tërmetin”.

“Të ishin këta në qeveri, Zoti veç do i mëshironte mijëra njerëz që sot janë në kujdes të plotë. CV e këtyre që flasin kuturu është e zezë, ndaj askush s’e do një model si ata”, tha Ndreu.

Në Bashkinë e Lezhës do të ndërtohen nga e para 188 apartamente dhe 230 banesa individuale, ndërkohë që deri tani 336 familjeve u është garantuar pagesa e qirasë deri në momentin e strehimit përfundimtar./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.