Strazimiri: Njerëzit u lanë pa shtëpi për t’u përdorur në fushatë

TIRANË, 30 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Genti Strazimiri akuzoi qeverinë se nuk po ndërton shtëpitë individuale për t’i përdorur për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Në një deklaratë për shtyp, Strazimiri tha “një vit pas tërmetit ata  që kanë humbur shtëpitë vijojnë të jetojnë në çadra, mes rrënojave apo në qira që nuk arrijnë t’i paguajnë dot”.

“Dokumentet zyrtare provojnë se qytetarët e prekur nga tërmeti nuk do të hyjnë dot në shtëpitë e tyre, të paktën deri në korrik të vitit 2022. Pra edhe dy vjet të tjera pa shtëpi. Për të kuptuar se sa e kanë zvarritur situatën, mjafton të përmendim se 6 muaj pas tërmetit bashkia e Tiranës nuk kishte akoma vlerësimin e saktë të banesave individuale që do të duhej të ndërtoheshin. Në këto shtëpi Erion Veliaj ka qenë, xhiroi momentin e tij të minutazhit dhe nuk u duk më”, tha ai.

Po ashtu, Strazimiri duke iu drejtuar qytetarëve shprehet se paratë janë aty, plot 17 milionë euro të tenderuara për 889 banesa individuale. Por arsyeja përse nuk po vazhdojnë punimet janë zgjedhjet e vitit tjetër.

“Këto shtëpi do të duhej të kishin përfunduar tashmë, sepse nuk janë vila luksoze nëpër kodrat e Tiranës, por shtëpi njëkatëshe të cilat do të duhej të ishin ndërtuar në pak muaj. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, mjafton dashuria që ka brenda për ta kthyer atë në një çerdhe lumturie. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo ditë transparencë, sepse refuzojmë faktin se pushteti i korruptuar i Edi Ramës dhe Erion Veliajt të trajtojë njerëzit si kavie elektorale”, u shpreh Strazimiri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.