SHBA – Biden përzgjedh shtatë gra për komunikimin me publikun, hera e parë në histori

UASHINGTON, 30 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Për herë të parë në histori, presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris kanë përzgjedhur shtatë gra për stafin e Shtëpisë së Bardhë që do të jenë të ngarkuara me komunikimet.

Përveç Jen Psaki, e cila do të jetë zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, u emëruan gjithashtu zëvendëszëdhënësja, Karine Jean-Pierre, drejtoresha e komunikimeve Kate Bedingfield, zëvendësdrejtoresha Pili Tobar, zëdhënësja Elizabeth Alexander për zonjën e parë të ardhshme Jill Biden dhe Ashley Etienne, drejtoresha e komunikimeve për zëvendëspresidenten.

Symone Sanders u zgjodh zëdhënëse për zëvendëspresidenten.

Psaki, 41 vjeçe, me origjinë greke dhe polake, ishte një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit gjatë administratës së Obamës dhe më pas drejtore e komunikimit për Shtëpinë e Bardhë.

Ajo aktualisht punon në ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.