“Ringjitja vazhdon”/ Rama për bilancin e rindërtimit në Shijak: 400 banesa individuale përfundojnë brenda vitit

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Programi i Rindërtimit pas tërmetit vijon pa u ndalur në çdo cep të zonës së prekur nga tërmeti, për të siguruar javë pas jave kthimin në banesa të reja individuale të familjeve në zonat rurale.
Kryeministri Edi Rama solli sot shifrat e Rindërtimit në Shijak, një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Rama shprehet se janë “24.800 punëtorë të angazhuar për rindërtimin që vijojnë papushim, pa të shtuna, pa të diela, pa orare e as lodhje, punën në çdo cep të zonës së prekur nga tërmeti, së bashku me të gjitha skuadrat e institucioneve qendrore e vendore, duke siguruar javë pas jave kthimin në banesa të reja individuale të familjeve në zonat rurale, paralelisht me progresin e përditshëm në zonat ku janë projektuar lagje të reja, brenda apo ngjitur me qytetet e goditura”.
Rama bëri të ditur se, “në Shijak ka përfunduar 1 shkollë dhe 2 të tjera përfundojnë brenda vitit 2020. Nisin së shpejti edhe 3 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 1 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2 me fondet e donatorëve. 400 banesa individuale përfundojnë brenda vitit dhe 67 të tjera brenda janarit 2021”.
“Së shpejti nisin edhe 200 banesat e fundit për këtë bashki”, shprehet Rama.
“Kanë përfunduar meremetimet për 24 pallate dhe vazhdon puna në 3 të fundit
1844 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë, me një total prej 408,996,303 lekë. 897 familje shërbehen me bonus qiraje prej muajit Dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi”, tha Rama. /r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.