Popullata e kalit të qyqes në Shqipëri gjendet në 9 territore

TIRANË, 30 nëtor/ATSH/ Popullata e kalit të qyqes në Shqipëri gjendet në 9 territore, e shtrirë në zonën e Mallakastrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit.

Monitorimi i popullatës së kalit të qyqes, është një iniciativë që grupe studimore nga 14 vende të Ballkanit, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, në kuadër të projektit të LIFE “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, ndërmarrin vit pas viti për të identifikuar ndryshimet në popullatë apo dhe në shpërndarjen e territoreve në vendet e Ballkanit apo Afrikë.

Ekipet e monitorimit në terren publikuan sot të dhënat për vitin 2020.

Sipas Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ky monitorim shërben për të kuptuar ecurinë dhe për të identifikuar masat që duhen marrë për rimëkëmbjen e popullatës së kësaj shkabe, e cila mbart statusin e rrezikuar, sipas IUCN-s.

“Në Shqipëri vazhdojnë të mbeten 9 territore të zënë, sikurse, në tre vitet e mëparshme. 6 territore janë të zënë nga çifte dhe 3 nga individë të vetmuar. Në nivel Ballkani u monitorua një rritje me 9% në numrin e çifteve, 2 prej të cilave u identifikuan në Bullgari, 1 në Shqipëri dhe 1 tjetër në Greqi. Fatkeqësisht, dhe numri i individëve të çelur e të aftë për të fluturuar ishte më i ulët se vitin e kaluar.

Helmimi, deklaron PPNEA, mbetet përsëri një nga faktorët kryesorë të uljes drastike të popullatës së kalit të qyqes në Ballkan. Gjithashtu, elektroshoku, përplasja me infrastrukturën energjetike dhe shqetësimi gjatë sezonit të folezimit janë kërcënime të cilat vështirësojnë mbijetesën e këtij lloji.

Në këtë drejtim, thotë PPNEA, studiues nga të gjitha vendet partnere kanë bashkuar forcat për të zbatuar masa konkrete për parandalimin dhe minimizimin e këtyre rreziqeve, si në territoret e folezimit, ashtu edhe përgjatë rrugëtimit të kalit të qyqes gjatë shtegtimit.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.