Pogradec/ Ndahen lejet e fundit të legalizimit në Çërravë, nis certifikimi i tokave bujqësore

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Në Çërravë të Pogradecit u shpërndanë lejet e fundit të legalizimit për banorët e kësaj njësie administrative.
Në ceremoni ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi dhe kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli.
Drejtori i Kadastrës Lame tha se “procesi i legalizimit është drejt mbylljes, tani detyra e Kadastrës është të certifikojë tokat e marra me ligjin 7501”.
Lame kërkoi bashkëpunim me poseduesit e këtyre tokave për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.
“Pas 30 vjetëve tani do të pajiseni me certifikatë të tokës”, – tha Lame.
Ministri Shalsi u shpreh se u ndanë lejet e fundit të legalizimit për banorët e kësaj njësie administrative. Sipas tij, bëhet fjalë për një proces të vijuar me ritme të shpejta falë ndryshimeve institucionale dhe vizionit të ri që bashkoi legalizimet me Kadastrën.
Duke falenderuar institucionet, Shalsi i ftoi të jenë po kaq bashkëpunues për nisjen e procesit të pajisjes me certifikata pronësie për tokat e marra me ligjin 7501.
“Procesi i legalizimeve eci me një ritëm shumë të mirë. E filluam me një ndryshim të madh institucional dhe ju sot po korrni frytet e një vizoni të ri që bashkoi legalizimet me Kadastrën”, – tha Shalsi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.