Masat antiCOVID/ Kur të ktheni kokën pas, do të jeni krenarë që me veprimet tuaja keni shpëtuar qoftë dhe një jetë

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ COVID-19 nuk është nga ato sëmundje përballë së cilës ti je i pafuqishëm. Ti unë, të gjithë kemi shumë në dorë, për të mbajtur larg koronavirusin, për të mbrojtur familjen, gjyshërit e prindërit, fëmijët dhe miqtë. Mbajmë maskën, ruajmë distancimin sociale, zbatojmë rregullat e higjienës. Këto nuk janë klishe, por armë që përdor e gjithë bota për të dalë të fituar nga kjo pandemi.

Ky është apeli i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, mëngjesin e kësaj të hëne për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit të ri.

“Ti mund të kontribuosh në kufizimin e përhapjes së Covid-19, duke shpëtuar jetë! Maska mbrojtëse tashmë është një mjet i gjithë pranuar për dobinë e saj. Larja e shpeshtë e duarve dhe dezinfektimi tyre ndalojnë infektimin nga SARS-COV2. Është koha të zbatojmë me përpikmëri këto tre rregulla, për mbrojtjen e shëndetit”, nënvizoi Manastirliu.

Është e kuptueshme që të gjithë duam të vazhdojmë të jetojmë normalisht, thuhet në videon e apelit të Manastirliut.

“Pa virus nëpër këmbë, pa shtrëngime, por sot kemi të gjithë një përgjegjësi. Të gjithë bashkë ne mund t’ia dalim për t’iu rikthyer normalitetit si më parë dhe kur të ktheni kokën pas, do të jeni krenarë që me veprimet tuaja keni shpëtuar qoftë dhe një jetë”, thuhet në video. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.