Hapet spitali COVID 4/ Manastirliu: Shtohen kapacitetet me 100 shtretër për pacientët me COVID-19

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga spitali COVID 4, në aksin Tiranë-Durrës ka deklaruar se prej ditës së sotme kapacitetet spitalore janë shtuar me 100 shtretër duke vënë në dispozicion edhe strukturën e dedikuar COVID 4 për trajtimin e pacientëve.

“Ne kishim bërë pjesë të strategjisë tonë. Ka qenë një punë intensive për vënien në punë të këtij spitali. Është një sfidë për të gjithë ne, pasi këto janë kapacitete të shtuara në sistemin tonë shëndetësor, ka 100 shtretër, është një spital që nuk është në korpusin tipik të spitaleve tona dhe ndodhet në distancë nga spitalet e tjera”, tha Manastirliu.

COVID 4 do të presë pacientët e përmirësuar pas trajtimit në 3 spitalet COVID.

“Pas trajtimit më intensiv në spitalet COVID, pacientët që përmirësohen do të transferohen në këtë strukturë. Sipas strategjisë vjeshtë-dimër, vijojmë më pas edhe me skenarët e tjerë, me spitalet rajonale”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka falenderuar stafin mjekësor për gatishmërinë dhe punën e palodhur në këto 9 muaj, duke i konsideruar sfidë muajt e ardhshëm.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se, “çdo hallkë që shtohet është pjesë e shërbimit shëndetësor. Nuk jemi të ndarë jemi të gjithë shërbim shëndetësor i Shqipërisë. Në çdo hallkë do jemi gati. Vetëm të na lënë të qetë të punojmë në këtë pandemi. Duam të punojmë të qetë jo në presion. Duam të punojmë të qetë për pacientët”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.