Gjosha: Borxhi publik po shkon drejt 90% të PBB-së, me e rrezikshme se vetë pandemia

TIRANË, 30 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e LSI-së Klajda Gjosha deklaroi sot se buxheti i sapomiratuar për vitin 2021 konfirmon qartazi se borxhi publik po shkon drejt nivelit 90% të PBB-së, shifër kjo, sipas saj, shumë herë më e rrezikshme se vetë pandemia.

“Parashikimi i rritjes ekonomike për vitin që vjen dhe pagesat e koncesioneve dhe PPP-ve kërkojnë vendosjen e mekanizmit për mbledhjen e të ardhurave që ka të bëjë me rritjen e taksave. Uroj që kjo të mos ndodhë pasi taksat te ne kanë arritur limitet e tyre. Problemi bëhet edhe më i madh te mënyra se si implementohen fondet dhe te borxhi i fshehur që nuk llogaritet nga qeveria si borxh publik”, tha ajo.

Po ashtu, Gjosha shtoi se “situata ekonomike në Shqipëri është jashtë kontrollit ndaj ajo kërkon në mënyrë urgjente një grup ekspertësh për të bërë transparencë dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura. Vendet e punës po shuhen çdo ditë e bashkë me to edhe shqiptarët që trokasin në dyert e Europës për një jetë më të mirë”.

“Fokusi ynë është ekonomia sepse prioritet për ne janë shqiptarët. Fokusi ynë janë gratë dhe vajzat që janë dhe fasha më e prekur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Bashkë t’i themi stop kolapsit, stop largimit nga Shqipëria”, tha Gjosha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.