GJERMANI – Merkel: Rikthimi i anijes turke në port, sinjal pozitiv nga Turqia

BERLIN, 30 nëntor /ATSH-AA/ – Gjermania mirëpriti sot kthimin në port të anijes kërkimore turke “Oruc Reis”, pas përfundimit të misionit të saj për kërkimin e energjisë në Mesdheun Lindor.

Duke folur në një konferencë virtuale, Merkel tha se marrëdhëniet me Turqinë dhe tensionet e fundit në Mesdheun Lindor do të ishin midis temave kryesore të samitit të udhëheqësve të BE më 10-11 dhjetor.

“Është një sinjal i mirë që “Oruc Reis” tani është kthyer në një port turk”, tha ajo.

“Ne kemi bërë një përpjekje të madhe në lidhje  me marrëdhëniet e BE-së me Turqinë, por ka shumë pengesa dhe vështirësi të ndryshme që përsëriten vazhdimisht”, shtoi Merkel.

“Megjithëse duhet të shohim se si shkon diskutimi në dhjetor, unë duhet të them se nuk kemi bërë aq përparime, sa do të shpresoja”, vazhdoi kancelarja gjermane.

Pas samitit të tyre në fillim të tetorit, udhëheqësit e BE përsëritën solidaritetin e Bllokut me anëtarët e BE-së, Greqinë dhe Administratën e Qipros Greke dhe i bënë thirrje Ankarasë të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor.

Ata ranë gjithashtu dakord të riaktivizojnë marrëdhëniet BE-Turqi duke nisur një axhendë pozitive me theks të veçantë në modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi, rritjen e lidhjeve tregtare dhe ekonomike, bashkëpunimin mbi migracionin dhe çështje të tjera me interes të përbashkët./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.