BRUKSEL – Johansson: Kontrollet në kufijtë e brendshëm kërcënojnë rimëkëmbjen, jo terroristët

BRUKSEL, 30 nëntor /ATSH-AFP/ – Kontrollet në kufijtë e brendshëm të zonës Shengen janë joefikase në luftën kundër terrorizmit dhe rrezikojnë të pengojnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19, paralajmëroi sot eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

“Liria e lëvizjes do të jetë mjeti ynë më i rëndësishëm për rimëkëmbjen”, tha komisionerja suedeze gjatë një “Forumi Shengen” të parë, i organizuar me iniciativën e Komisionit dhe që mblodhi ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare dhe eurodeputetët.

“Kontrollet në kufijtë e brendshëm në zonën Shengen, do të dëmtojnë seriozisht prodhimin e brendshëm bruto të BE-së, në kontekstin e një rimëkëmbje ekonomike postCOVID-19, kjo nuk është e pranueshme”, këmbënguli Johansson.

“Kontrollet e kufijve të brendshëm fatkeqësisht nuk do të ndalojnë terroristët, por ne e dimë që kontrollet do të ndalojnë transportin, tregtinë dhe turistët”, shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen bëri thirrje, gjithashtu, që kontrollet e brendshme të kufirit të mbeten një masë e fundit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.