BJELLORUSI – Mbi 300 protestues në paraburgim pas tubimeve masive

MINSK, 30 nëntor /ATSH-DPA/ – Më shumë se 300 protestues janë mbajtur në paraburgim në pritje të gjyqit, pas tubimeve masive të paautorizuara të së dielës në Bjellorusi, njoftuan sot autoritetet.

“Dje, në total në të gjithë vendin, 313 persona u arrestuan për shkelje të legjislacionit mbi ngjarjet masive”, tha Ministria e Brendshme bjelloruse në një deklaratë.

Sipas organizatës bjelloruse për të Drejtat e Njeriut, “Viasna”, që monitoron nga afër lëvizjen protestuese, u arrestuan të paktën 416 persona.

Në Bjellorusi janë organizuar protesta masive çdo fundjavë, për gati pesë muaj, ndërsa opozita politike mbetet e vendosur në përpjekjet e saj për të larguar presidentin Alexander Lukashenko, në pushtet për më shumë se një çerek shekulli.

Opozita politike pretendon se qeveria e Lukashenkos manipuloi rezultatet e zgjedhjeve më të fundit presidenciale, më 9 gusht, për të vazhduar kontrollin e tij mbi pushtetin.

Bashkimi Europian i ka denoncuar zgjedhjet si “as të lira, as të drejta” dhe ka refuzuar të njohë Lukashenkon si presidentin aktual./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.