Basha: Rikthimi i rinisë në Shqipëri do të jetë prioritet kombëtar

TIRANË, 30 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me nënat që kanë fëmijët në emigracion. Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, Basha theksoi se në qeverisjen e PD-së prioritet kombëtar do jetë rikthimi i rinisë në Shqipëri.

“Cila është arsyeja e largimit të të rinjve? Cili është shkaku i largimit të tyre? Mungesa e shpresës, mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur në krye të prioriteteve tona për qeverisjen e nesërme kthimin e shpresës te Shqipëria, me prioritet absolut të vendeve të punës, dhe në veçanti punësimin e rinisë”, tha ai.

Më tej, Basha shtoi se detyra e qeverisë së ardhshme do të jetë që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre.

“Dhe ky është një  tjetër prioritet për sa i përket rinisë në veçanti dhe mbylljes së  kësaj plage të emigracionit. Qeveria e ardhshme do të ketë të njëjtën përgjegjësi siç silleni ju ndaj familjes. Qeveria e ardhshme do të sillet ndaj Shqipërisë me të njëjtën përgjegjësi siç sillen prindërit shqiptarë ndaj fëmijëve të tyre. Kjo duhet. Ju garantoj që do bëj gjithçka që jo vetëm të mos ju zhgënjej, por të përmbush pritshmëritë tuaja, nënave, grave, motrave dhe baballarëve, prindërve tanë dhe ta fusim Shqipërinë shumë shpejt në një rrugë të shpresës së zhvillimit, në një rrugë punësimi për të gjithë, e në radhë të parë për rininë”, u shpreh Basha.

“Kjo do t’i japë fund kësaj krize dhe do nisë një cikël pozitiviteti për ta dhe për familjet e tyre, për ju dhe prindërit tanë, por dhe për shumë prej atyre që janë larguar, që t’u bëjmë të mundur rikthimin në vendin e tyre dhe të bashkohen me familjet e tyre”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.