Si funksionon rimbursimi i medikamenteve antiCOVID/ Mjeku Bujar Mema shpjegon për ATSH-në hapat e ndjekur nga pacientët

 

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/Bledi Naska Arbi Fortuzi/ Rritja e numrit të të prekurve nga COVID-19 në vend ka sjellë si domosdoshmëri edhe rimbursimin e paketës së medikamenteve për trajtimin ambulator të sëmundjes, pra në kushtet e shtëpisë.

Tashmë ka hyrë në fuqi vendimi për rimbursimin, por si funksionon skema. Doktor Bujar Mema, mjek familjeje dhe drejtori i qendrës shëndetësore numër 9 në Tiranë shpjegoi për ATSH-në sesi kryhet procedura e rimbursimit të paketës së medikamenteve antoCovid.

Fillimisht ai shpjegon situatën aktuale të pandemisë.

“Duke parë situatën në rritje të pacientëve me infeksion të Covid, ndryshe nga cfarë ishte në muajt e parë të marsit, prillit, qershorit dhe duke parë që stadet e sëmundshmërisë shkonin në nivele të ndryshme me mjekime të ndryshme, si duket u pa e nevojshme nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që të mund të ndihmohej shtresa e njerëzve në rritje me një rimbursim apo me një ndihmë sado të vogël në lidhje me ekzaminimet dhe gjithashtu me mjekimet e këtyre të sëmurëve”, u shpreh ai.

Sigurisht që për të përfituar këtë rimbursim të trajtimit që pacientët marrin, duhet patjetër të ndiqen disa procedura të cilat janë të përcaktuara qartë. Doktor Mema e shpjegon procedurën.

“Në radhë të parë, duhet të konfirmohen si të sëmurë me Covid dhe në këtë mes hyn në lojë kryerja e tamponit që kryhet qoftë nga strukturat e shtetit si ISHP, DSH apo edhe laboratorët privatë dhe mbas konfirmimit duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me të sëmurët bëhet stadifikimi i sëmundjes së pacientit qoftë nëpërmjet ekzaminimit laboratorik apo edhe laboratorit të specialiteteve duke kryer ekzaminimet bazë kryesore por që na përcaktojnë edhe stadin e sëmundjes. Pas përcaktimit të stadit kryhet edhe pjesa e rimbursimit të mjekimeve përkatëse”, shprehet Mema.

Pacientët e prekur nga COVID-19 nuk shfaqin të gjithë të njëjtën sëmundshmëri, dhe janë përcaktuar disa nivele për të cilat janë hartuar edhe protokollet e mjekimit. Pacientë të ndryshëm kanë nevojë për trajtime dhe medikamente të ndryshme të cilat gjithashtu janë të përfshira në skemën e rimbursimit. Doktor Mema shpjegoi për ATSH-në edhe nivelet e sëmundshmërisë dhe llojet e ekzaminimeve që duhet t’u nënshtrohen këta pacientë.

“Në fazën e parë kemi të bëjme vetëm me nivelet e temperaturës dhimbje trupi çka përcakton edhe dhënien e recetës që konsiston në vitaminoterapi ose antibiotikë të thjeshtë. Stadi i dytë që përcaktohet gjithashtu nga kryerja e ekzaminimeve dhe nëse nga këto përcaktojmë se kemi kaluar në një stad më të lartë hyjnë në lojë nivele më të larta antibiotikësh, holluesit e gjakut, që normalisht kanë një çmim pak më të kripur prandaj edhe nivelin e dytë të recetës e kemi me një nivel më të lartë tavani nga niveli i parë”, thekson Mema.

Më pas, doktor Bujar Mema shpjegoi edhe se si funksionon sistemi online i recetave të cilat u jepen pacienteve në bazë të stadit të sëmundjes të cilët ata kanë.

“Kemi edhe rastin e tretë të nivelit të sëmundjes, kur mushkëria funksionon në 50 për qind të kapacitetit të saj dhe niveli i oksigjenit ka rënë nën nivelin 90 ose 93 që kërkon ndërhyrje edhe me injeksione dhe kortizonik, raste që duhet patjetër të trajtohen në spital”,përfundoi mjeku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.