Shërohet nga koronavirusi imzot George Frendo: Jam ndjerë më afër atyre që po vuajnë nga e njëjta sëmundje

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Arqipeshkvi i Tiranë–Durrës, George Frendo është shëruar nga koronavirusi i ri.

Frendo, në mesazhin ku njofton se është shëruar, shprehet se së shpejti do të jetë në grigjën e tij e se mund të vazhdojë të kremtojë kohën e Ardhjes, në përgatitje për Krishtlindjen, bashkë me popullin.

“Falenderoj Zotin se së shpejti do të jem përsëri me grigjen time. Larg grigjes jam ndjerë si kokë pa trup. Gëzohem se mund të vazhdoj të kremtoj kohën e Ardhjes, në përgatitje për Krishtlindjen, bashkë me popullin tim”,- u shpreh Frendo.

“Kjo periudhë ka qenë për mua një eksperiencë e dhimbshme. Megjithatë jam ndjerë më afër Jezusit, i cili, nga dashuria e tij për ne, ka pranuar dhimbje për shelbimin tonë. Dhe jam ndjerë më afër atyre që, në këto ditë, po vuajnë nga e njejta sëmundje. Zoti i forcoftë e i shëroftë”,- vijon ai.

“Falenderoj përzemersisht të gjithë ata që më kanë qenë pranë që në fillimin e kësaj sëmundjeje, veçanërisht bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë dhe gjithashtu falënderoj për shërbimin e parë që kam marrë nga strukturat e shërbimit Shëndetësor në vend, veçanërisht në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Dëshiroj të falënderoj shumë nga ata që më kanë uruar shërim të shpejtë, ndër të cilët Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetarin e Bashkisë  Erjin Veliaj, Lulëzim Basha kryetarin e Partisë Demokratike, e shumë e shumë të tjerë”,- shprehet Frendo.

“Falenderoj të gjithë besimtarët që janë lutur për mua. Shpresoj të kremtoj meshën me popullin në Katedrale të dielën më 6 dhjetor. Ju përshëndes përzemërsisht duke ju kujtuar të gjithëve gjithmonë në lutjen time”,- përfundon George Frendo, Arqipeshkvi i Tiranë- Durrës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.