Pampuri: Pajisjet antiCOVID u blenë 3 herë më shtrenjtë

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri deklaroi sot se “pajisjet antiCOVID u blenë 3 herë më shtrenjtë dhe u shpall fituese oferta më e lartë”.

“Në shtator të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka hapur një tender me vlerë 5 milionë euro për të blerë disa mjete mbrojtëse antiCOVID, vlera e të cilave nuk shkon kurrë më shumë se 1.5 milionë euro. Tenderi kualifikoi disa kompani me oferta nën 2 milionë euro, por një vendim i organi tjetër të qeverisë, Komisioni i Prokurimit Publik, i skualifikoi të gjithë ofertat më të ulëta”, tha ajo.

Pampuri tha se “ndër 12 kompani ofertuese, ai shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë, e renditur e 10-ta”.

“Për shkak të kësaj lufte mes klanesh në qeveri, pajisjet antiCOVID do të blihen me çmim 3 herë më të lartë se ofertat e skualifikuara”, tha ajo. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.