“Në kantieret e Rindërtimit punohet ditë për ditë”/ Ekonomi për ATSH: Opozita sheh ëndrra nga zyra, në terren familjet po hyjnë njëra pas tjetrës në banesat e reja

TIRANË, 29 nëntor /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PS-së, Milva Ekonomi tha sot për ATSH,  se procesi i Rindërtimit vazhdon me ritme të shpejta dhe do të bëhet e mundur që gjithkush që humbi shtëpinë nga tërmeti i 26 nëntorit të ketë një strehë me standarde europiane.

Në përgjigje të sulmeve të opozitës e cila pretendon se nuk është bërë asgjë, Ekonomi tha se e vërteta është se po punohet, dhe po punohet në disa drejtime sipas planit të Rindërtimit.

“E para, të gjitha familjet që kanë dëmtime DS1-DS3 që janë të riparueshme të marrin patjetër pagesën dhe të kryejnë riparimet. Deri më sot janë lidhur 22500 kontrata për të riparuar këto dëme. E dyta janë  ambiente të përbashkëta që janë në DS3 që përveç apartamenteve është prishur shkalla apo hyrja dhe për këto janë 1137 godina që po angazhojnë 2 miliard lekë dhe puna po vazhdon. Në Durrës janë 9 lote pallatesh që duhet të riparohen dhe deri tani kanë mbaruar kontratën për 7 lote. Kështu puna është duke vazhdua. Së treti që është e rëndësishme për ata që kanë godina DS4-DS5 që janë larguar nga godinat për arsye se janë të pabanueshme dhe ato janë  duke qëndruar më shtëpi me qira dhe bionusin e shtëpisë e paguan shteti dhe janë 1336 familje që jetojnë  me qira. Së katërti, ka disa familje të cilat jetojnë në çadra të siguruar nga shteti që janë familje  rurale dhe nuk kanë ikur prej zonës se donin të mbronin bagëtinë dhe këto janë 1364 për të cilat gjithashtu paguhet bonusit i qirasë. Këto janë përsa i përket strehimit”, tha ajo

Po ashtu Ekonomi shtoi se po punohet për godinat me karakter publik si janë shkollat dhe po ndërtohen shkolla në të gjithë territorin e 11 bashkive që janë të dëmtuara.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërton rreth 34 shkolla dhe më shumë se 30 janë në përfundim e sipër, kështu gjithandej është duke u punuar. Edhe përsa i përket banesave Fondi Shqiptar i Zhvillimit do përfundojë 500 banesa individuale. Përsa i përket banesave kolektive që janë 4646 banesa, po punohet me të gjithë donatorët e mundshëm. Kryeministri Edi Rama ka qenë në Abu Dabi për të nënshkruar një marrëveshje  me Emiratet e Bashkara Arabe për fillimin e ndërtimit të 2000 apartamenteve në zonën e Durrësit, sikurse dhe po punohet në bashkëpunimin turk në zonën e Laçit”, tha ajo

Ekonomi tha se po punohet edhe për veprat me karakter historik dhe trashëgimisë kulturore. BE bëri të mundur vënien në dispozicion të një fondi të cilin ia dedikoi UNESKO-s sepse ka ekspertizën në këtë fushë që të fillojë riparimin e veprave të trashëgimisë kulturore si në Durrës si në Krujë e në vende të tjera që ka dëmtime.

Në lidhje me pyetjen sa ka dhënë Qeveria dhe sa është buxheti i vitit të ardhshëm, Ekonomi tha se “kur ndodhi kjo ngjarje ishte gjendje e jashtëzakonshme, dhe menjëherë doli situata e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila angazhoi para nga fondi rezerve i vitit 2019”.

“Për vitin 2020, qeveria, e para hartoi një ligj për rindërtimin dhe e dyta e shoqëroi ligjin me 71 akte për të dhënë ndihmë për banorët dhe biznesin, ata që humbën njerëz dhe gjithçka. E treta, krijoi një program buxhetor për rindërtimin. Dhe programi buxhetor këtë vit që jemi ka 34 miliardë lekë. 2021 ka 28 miliardë lekë dhe viti 2022 ka 6 miliardë lekë, domethënë se në 2023 rindërtimi është i përfunduar”, u shpreh Ekonomi.

Këto investime, shtoi Ekonomi, janë nga njëri vit në tjetrin është që të mos ketë vështirësi financiare.

“Nga ana tjetër, edhe donatorët kanë dhënë ndihmë në natyrë, në grante, dhe kanë dhënë ndihmë në kredi. Deri më tani nga 277 milionë euro që kanë dhënë donatorët, janë miratuar memorandume bashkëpunimi për 260 milionë euro. Janë bërë 18 memorandume mirëkuptimi me donatorët dhe po fillon menaxhimi i këtyre parave. 11 milionë euro janë në procese angazhimi dhe tre marrëveshje që janë duke u draftuar dhe duke u nënshkruar. Përsa i përket kredive, qeveria po punon për të kuptuar nivelin ku do shkojmë me këtë masë kredie, me menaxhimin e borxhit, janë 260 milionë euro kredi që po na ofrohen”, u shpreh Ekonomi.

“Qeveria e ka nën kontroll situatën e Rindërtimit dhe çdo ditë po ndërtohen shtëpi. Janë 3470 shtëpi individuale dhe po i ndërtojnë kompanitë vendëse që hynë në gara për të ndërtuar nga 500-600 apartamente me kusht që ndërtimi i i apartamenteve mos të zgjasë më shumë se 5.5 muaj”, theksoi ajo.

Ekonomi shprehet se nuk e di se ku i shohin ëndrrat opozitarët, mbase ngaqë rrinë në zyrë.

“Por po të shkosh në terren, aty ditë për ditë punohet dhe është mirë të vizitojnë terrenin dhe të shohin se si njerëzit marrin shtëpi”, përfundoi Ekonomi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.