Kryemadhi, homazhe për ditën e Çlirimit: Të rrënjosim atdhedashurinë tek të rinjtë

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh sot pas homazheve për ditën e Çlirimit të vendit, se politika shqiptare nuk duhet të bëjë më gabimet e së shkuarës dhe duhet të mbyllë njëherë e mirë tranzicionin.

“Është më e pakta që mund të bëjmë sot në emër të LSI-së, për të vendosur një kurorë në shenjë respekti dhe mirënjohje të 28 mijë djemtë dhe vajzat shqiptare që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”, u shpreh ajo, duke shtuar se ajo që është akoma më e rëndësishme, është për të rrënjosur akoma më shumë në zemrën e të rinjve dhe të rejave tanë dashurinë për vendin, për flamurin, për atdheun.

“Nëna Shqipëri është jo simbol, por nëna Shqipëri është jeta e çdo shqiptari”, u shpreh Kryemadhi.

“Në këtë ditë përkujtimore nuk duhet thjesht të kujtojmë, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona dhe sidomos të klasës politike, që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë dhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni, në këtë vit të mbrapshtë siç ishte viti i pandemisë, apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit”, vijoi Kryemadhi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.