Korçë/ Rehabilitim i rrugës dhe pikës së hedhjes me parashutë në Moravë, nxitje turizmit e sporteve të aventurës

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Bashkë me Parkun Kombëtar Bredhi i Drenovës, një perlë e natyrës në Korçë e cila do të shndërrohet në një destinacion fantastik për turizmin familjar, ka nisur puna edhe për rehabilitimin e rrugës së Moravës nga pika turistike e Moravës deri tek kryqi, ku do të krijohet edhe terreni për sportet e aventurës si pika e hedhjes me parashutë.
Vendosja e sinjalistikës, shtimi i hapësirës së gjelbër për piknik, markimi i shtigjeve për shëtitje, do e bëjnë Bozdovecin dhe Moravën destinacionet më të bukura natyrore për t’u vizituar edhe nga turistët.
Projekti nën emrin “Authentik” ka si qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore e turistike të rajonit të Korçës në Shqipëri dhe Kastorias në Greqi. Zgjidhjet inovative dhe bashkëkohore të këtij projekti do të afrojnë këto dy rajone me njëri-tjetrin, duke rivitalizuar dhe modernizuar zona të veçanta turistike nga Korça dhe Kastoria.
“Authentik” është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian si dhe fondet kombëtare të dy shteteve pjesëmarrëse në programin e “Bashkëpunimit Ndër Kufitar Interreg IPA (Greqi-Shqipëri 2014-2020).
Aktualisht me këtë projekt do të kryhet “Rehabilitimi i rrugës së Bozdovecit dhe sistemimi i terrenit të pikës së lëshimit me parashutë”, në Moravë.
Qëllimi kryesor i projektit nga ana arkitektonike është që të ndërtojë objektin i cili duhet të jetë funksional dhe me hapësira të menaxhueshme, të ketë një shkallë sa më humane perceptimi, të krijojë hapësira të bollshme të hapura të cilat të kenë marrëdhënie me ambientet e brendshme, si dhe të prezantojë një eksperiencë të re projektimi të objekteve turistiko-sportive.
Gjithashtu duhet të kryhet një kompozim në plan i të gjitha funksioneve, në mënyrë të tillë që të aksesohen lehtësisht nga turistët dhe sportistët.
  
Vlera e investimit për rehabilitimin e pikës së hedhjes me parashutë së bashku me rehabilitimin e rrugës është afërsisht 18.000.000 lekë. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.