Komisioni i Posaçëm/ Gjiknuri: Antikombëtare akuza e Dick Marty, Presidenti flet si lideri i një pjese të opozitës

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri reagoi sot lidhur me deklaratën e presidentit Ilir Meta, për ngritjen e komisionit të posaçëm për raportin e Dik Marty.

Në një prononcim për mediet pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë, Gjiknuri tha se beson se “në ka gjë antikombëtare është akuza që ka ngritur Dik Marty për sakrificat e popullit shqiptar të Kosovës”.

“Mendoj që ata që janë të pastër dhe s’kanë gjë të fshehin nuk kanë pse të shqetësohen për çfarë do të bëjë komisioni hetimor”, tha Gjiknuri.

Gjiiknuri tha se “këto më shumë janë deklarata të karakterit politik”.

“Ne e dimë që Presidenti Meta nuk flet më si President, por si lideri i një pjese të opozitës, mbase synon të marrë dhe opozitën në kontroll. Kështu që të gjitha deklaratat e tij duhen marrë në kontekstin politik dhe unë nuk po i jap rëndësi. Në këtë ditë meriton më shumë vëmendje respekti i të gjithë viktimave, të gjithë dëshmorëve, të gjithë gjakut të derdhur për ta bërë këtë vend më të mirë, si këta këtu në Shqipëri, por edhe ata në Kosovë që luftuan për pavarësinë e Kosovës”, tha Gjinkuri.

Meta dje nga Vlora reagoi lidhur me ngritjen e Komisionit të posaçëm për ‘Dick Marty’ se “nuk kemi kohë të humbasim me akte të cilat i shërbejnë armiqve të Shqipërisë dhe nuk i shërbejnë as Shqipërisë, as shtetit të Kosovës, as unitetit mbarëkombëtar”./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.