Kanadaja ndalon eksportin e disa medikamenteve drejt SHBA-së

MONTREAL, 29 nëntor /ATSH-AFP/ – Qeveria kanadeze njoftoi një ndalim të eksportit të disa medikamenteve drejt SHBA-së, veçanërisht ato të përdorura në trajtimin e COVID-19, nëse këto shitje shkaktojnë ose përkeqësojnë një mungesë në Kanada.

Ky ndalim ndodh në momentin kur hyn në fuqi të hënën në SHBA një reformë e premtuar nga Donald Trump për të mundësuar importin e medikamenteve nga jashtë për të mundësuar një ulje të çmimeve.

“Kjo do të lejojë veçanërisht farmacistët dhe tregtarët me shumicë të importojnë, me shumicë, disa medikamente me recetë të destinuara për tregun kanadez”, shpjegon Ministria kanadeze e Shëndetësisë në një komunikatë.

“Kjo masë ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga shtetet amerikane dhe çdo miratim nga industria do të përkeqësojë problemin aktual të mungesave të ilaçeve në Kanada”, thekson deklarata.

“Sistemi ynë i kujdesit shëndetësor është një simbol i identitetit tonë kombëtar dhe ne synojmë ta mbrojmë atë”, theksoi ministrja kanadeze e Shëndetësisë, Patty Hajdu duke njoftuar miratimin të një dekreti për këtë qëllim.

Kanada është një treg i vogël që përfaqëson 2% të shitjeve të ilaçeve në të gjithë botën, krahasuar me 44% për SHBA-në.

“Kanadaja merr 68% të barnave të saj jashtë vendit”, sipas ministrisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.