“Etiketat e reja në produktet ushqimore sipas standardeve të BE-së”/ Drejtori i AKU-së për ATSH-në: Lehtësim bizneseve të rregullta nga kontrollet intensive

 

 

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po ndërmerr një sërë hapash për afrimin e kapaciteteve të sigurisë ushqimore me vendet e BE-së dhe hartimin e strategjisë së re, që synon të lehtësojë subjektet e rregullta nga inspektimet intensive.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) Bledar Skënderi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare shpjegoi prioritetet e institucionit që drejton.

“Etiketat e reja në produktet ushqimore, implementimi i disa projekteve të përbashkëta me BE-në, me impakt në rritjen e sigurisë ushqimore, si dhe çështje të tjera të rëndësishme për mbrojtjen e konsumatorit janë në fokusin e punës së AKU-së për periudhën në vijim”, theksoi ai.

“Aktualisht AKU në kuadër të taskforcës së ngritur nga kryeministri Rama, antiCovid bashkë me inspektoriatete tjera, të Punës dhe të Mjedisit, është fokusuar në këshillimin e qytetarëve dhe të subjekteve për respektimin e masave antiCovid për mbrojtjen e shëndetit”- theksoi Skënderi.

Gjithashtu tha ai, “paralelisht, AKU vijon prioritetet e punës së përditshme që janë siguria ushqimore në vend, kontrollet pranë subjekteve prodhuese apo atyre me risk, kontrollin e të gjithë lëvizjes së produkteve ushqimore që hyjnë e dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet pikave të inspektimit kufitar, duke marrë mostra dhe verifikuar dokumentacionin, me fokus kryesor rritjen e sigurisë ushqimore në vend”.

Ndërkohë përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka parashtruar detyra të rëndësishme për AKU-në që parashtron edhe përafrimin e standardeve të produkte ushqimore me ato të BE-së.

“Në kuadër të vendimit të Këshillit të Ministrave për etiketimin, AKU është në proces të vazhdueshëm të miratimit të etiketave të reja për të gjitha produktet ushqimore në vend dhe jemi në bashkëpunim me biznesin, që të mbarojë sa më parë ky proces, sepse është një element i rëndësishëm, jo vetëm për produktet që shiten në Shqipëri, por edhe për ato që eksportohen në vendet e BE-së e më gjerë”- theksoi Skënderi.

Sipas tij, etiketat e reja përmbajnë të gjithë elementët, sikurse janë etiketat në vendet e BE-së, që informojnë konsumatorin për të gjithë përbërësit e produktit ushqimor.

Kreu i AKU-së vuri në dukje se, “vëmendje në punën tonë marrin bizneset e riskut, siç janë prodhuesit e qumështit, mishit, fabrikat që përpunojnë këto lloj produktesh, ndërkohë që monitojmë me rigorozitet procesin e therjes së mishit dhe jemi të kujdesshëm për importet blegtorale që hyjnë në vendin tonë, për sa i takon origjinës dhe cilësisë së tij”.

Strategjia e re që po ndërmerr AKU synon lehtësimin e bizneseve të rregullta nga kontrollet intensive.

“Një biznes që në vijimësi të disa kontrolleve rezulton se është i rregullt, normalisht që mund t’i shtyhen afatet e kontrollit që ushtrohen në këtë biznes”- tha Skënderi.

AKU po bashkëpunon me BE-së për implementimin e disa projekte të përbashkëta me impakt në rritjen e sigurisë ushqimore.

Drejtori i AKU-së informoi se, “një projekt që po zbatohet nga AKU Irlandeze, po asiston për sistemet e vlerësimit të riskut në dogana për të përmirësuar standardet në pikat tona doganore. Gjithashtu një projekt tjetër që është në fazat e para të aplikimit me BE-në “Një dritare e vetme”, synon të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimet në dogana duke kaluar në një sportel të vetëm online të gjitha dokumentave të institucioneve përkatëse”.

Skënderi theksoi për ATSH-në se, përmes buxhetit 2021, qeveria na ka mbështetur për të kryer funksionet tona  të domosdoshme dhe prioritet për të ardhmen.

Ndëkohë përveç produkteve ushqimore, AKU kontrollon edhe tregun e produkteve të akcizës, siç janë kafeja, cigarja, kontrollojmë farat dhe inputet bujqësore, plehrat kimike që lidhen me bujqësinë.

“AKU ka një gamë të gjerë fokusi. Vetëm për 9-mujorin e këtij viti janë kryer 70 180 inspektime, janë dhënë 4 256 paralajmërime për masa administrative, janë vendosur 243 gjoba, kemi kthyer në vendin e origjinës për shkak të mungesës së dokumentacionit 22 ton ushqime dhe kemi kryer 12 526 analiza”- tha Skënderi.

Përveç punës së përditshme, AKU ndjek me fokus të veçantë edhe denoncimet që bëhen nga qytetarët për shqetësimit që kanë  ata në lidhje me pjesën e mallrave të skaduara, me tregtimin e mallrave që janë të papërshtatshme për t’u konsumuar. Po ashtu, ndjek me vëmendje procesin e asgjësimit të mallrave të skaduar.

Skënderi nënvizon faktin se, në lidhje me biznesin për shkak edhe të pandemisë jemi përpjekur ta shohim biznesin si bashkëpunëtor në punën tonë dhe më tepër ta këshillojmë atë.

“Ndërsa për pjesën ku cenohet seriozisht siguria ushqimore edhe me ndryshimet e fundit që janë bërë në Kodin Penal, ne kemi në prioritet që jo vetëm t’i identifikojmë por shkelësit t’i çojmë në ndjekje penale dhe kemi disa raste që po ndiqen nga prokuroritë”- deklaroi drejtori i AKU-së për ATSH-në. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.