Dhuna në familje/ Gjonaj inkurajon gratë: Çojeni deri në fund denoncimin

TIRANË, 29 nëntor  / ATSH- A. Fortuzi/ 200 gra të dhunuara kanë tërhequr paditë ndaj bashkëshortëve të tyre për dhunë, një fakt i konstatuar edhe nga Policia e Shtetit.

Duke marrë shkas nga kjo e dhënë, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj inkurajoi gratë që pësojnë dhunë në familje, t’i çojnë deri në fund denoncimet.

“Solidaritet dhe Mbështetje edhe në emër të Ministrisë së Drejtësisë.  Për të gjitha ato gra dhe vajza që duan një jetë të dytë, të lirë, të sigurt dhe pa dhunë. Ofruesit e shërbimeve janë aty për të të dëgjuar, besuar dhe mbështetur. Ndihma Juridike Falas është instrumenti i duhur për të marrë këshillimin e saktë ligjor. Raporto në 112/129 / Kërko ndihmë në 116 117”,- nënvizon Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në apelin e saj, teksa publikon dhe një video ndërgjegjësuese, ku evidentohet fakti se gratë dhe vajzat pasi bëjnë denoncimin e tyre për një arsye të caktuar, tërheqin padinë e tyre.

“200 gra të dhunuara kanë tërhequr paditë ndaj bashkëshortëve të tyre! Kësaj radhe denoncimin tënd çoje deri në fund!”,- është apeli i Ministrisë së Drejtësisë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.