Deputeti Bushati përgënjeshtron Zhupën: Asnjë aplikues, jashtë Programit të Rindërtimit

TIRANË, 29 nëntor /ATSH – I. Vata/- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka përgenjështuar sot Partinë Demokratike e cila përmes zëdhënëses Ina Zhupa denoncoi rastin e një qytetari që pretendon se nuk ka përfituar nga Programi i Rindërtimit.

Kreu i PS për Tiranën shprehet se ky është mashtrimi i radhës që kjo forcë politike bën duke përdorur qytetarët dhe fatkeqësi të tilla.

“PD vijon të përdorë qytetarët edhe kur e ka të qartë hapësirën ligjore. Ne, i garantojmë mbështetje Arben Gjoka, që nuk aplikoi dot në kohë për t’u përfshirë në Programin e Rindërtimit. Në rastin më të parë, nëse ligji do krijojë një tjetër mundësi, do ta trajtojmë njësoj si 699 qytetarët e tjerë dhe pa ngjyrime politike,” shprehet Bushati.

Nga ana tjetër, ai thotë se në Njësinë 8 janë regjistruar në Programin Kombëtar të Rindërtimit 699 aplikime nga familje të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Prej tyre, 54 shtëpi të pariparueshme po rindërtohen nga e para, ndërsa banesat e tjera, me dëme më të lehta kanë përfituar nga grantet e rindërtimit.

Arben Gjoka, banues në Njësinë 8 në Tiranë, nuk ka aplikuar në platformën online të Rindërtimit në afatin e përcaktuar, deri në Mars 2020, kur është mbyllur faza e parë e Programit dhe as është paraqitur pranë kësaj njësie për t’u trajtuar me programet e strehimit apo me bonus qeraje. Edhe pse sistemi ka qenë i mbyllur, Gjoka ka kërkuar një akt ekspertimi të banesës, gjë që nuk mund t’i refuzohet askujt, në asnjë kohë nga institucionet përgjegjëse. Akti i Ekspertimit i është dorëzuar qytetarit në datë 16 Shtator 2020, ku, sipas vlerësimit të ekspertëve, objekti konsiderohet me dëmtime të kategorisë DS4, por i riparueshëm, pasi nuk ka dëmtime të rënda strukturore

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.