TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Zyrtarë të lartë të shtetit e politikanë nderuan sot 29 nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit, ndërsa vlerësuan kontributin e atyre që luftuan për liri.
Ruçi: 29 nëntori, datë supreme në kalendarin e lirisë
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në 76-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, u shpreh se “në kalendarin e lirisë, 29 nëntori qëndron ndër datat më kryelarta të shqiptarëve”.
“Është dita që kurorëzoi zgjedhjen e drejtë të partizanëve dhe patriotëve shqiptarë, në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë. Është dita që realizoi ëndrrën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit, e cila është vepër e çlirimtarëve dhe partizanëve shqiptarë.
Çlirimi ishte rezultat i betejave të përgjakshme në malet, luginat, fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë”, tha ai.
Sipas Ruçit, “fitimtarë të Luftës Antifashistë Nacionalçlirimtare nuk ishin thjesht dhe vetëm partizanët shqiptarë, ishte populli shqiptar, ishte vetë Shqipëria”.
“Vlerat antifashiste qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm europian e perëndimor dhe ato e shtyjnë botën drejt të ardhmes, progresit, paqes dhe zhvillimit. Kolaboracionizmi, si një kërcënim i lirisë, në format e tij të ndryshme, të vjetra e të reja, tradicionale e moderne, e tërheq botën drejt të kaluarës, pasigurisë, errësirës dhe regresit.
Liria nuk është thjesht dhe vetëm fitorja mbi pushtuesit, me maliherët dhe fishekët rrëmbyer armikut. Liria e vërtetë qëndron në dashurinë tonë për të, të trashëguar brez pas brezi. Shpirtrat e lirë të njerëzve të lirë janë mburoja e lirisë dhe garancia e saj.
Kombet që dhunojnë lirinë e të tjerëve, nuk e meritojnë lirinë e tyre”, tha ai.
Ruçi u shpreh se “në çdo kohë e në çdo vend, popujt që luftojnë për tu çliruar nuk mund të quhen pushtues, dhe viktimat që luftojnë për liri, drejtësi e dinjitet, nuk mund të quhen agresorë”.
“Lufta Antifashiste u bë në emër të të sotmes. Betejat e sotme për lirinë i bëjmë në emër të së ardhmes. Për lirinë luftohet në çdo kohë dhe nga gjithkush që e aspiron atë. Ashtu siç nderojmë partizanët çlirimtarë për luftën e tyre, nderojmë qytetarët në betejat e përditshme për punën, jetën dhe familjen; nderojmë mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës për mbrojtjen e jetëve njerëzore”, shtoi ai.
Lufta për lirinë, sipas tij, “fisnikëron kombin, atdheun, shoqërinë dhe çdo qytetar”.
“Dje burimi i lirisë ishte lufta për çlirim, sot motivi i saj është lufta për vlerat thelbësore të shoqërisë, mirëqenien, solidaritetin, tolerancën dhe paqen”, tha Ruçi.
Braçe: Dita e Çlirimtarëve, heronjve të vërtetë të këtij vendi
Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha sot se “Shqipëria u çlirua 76 vite më parë, në një ditë si kjo”.
“U çlirua vetë, pa ndihmën e kërkujt, me luftë prej prej burrave e grave, djemve e vajzave të lindur këtu, në këtë vend, të rritur këtu, prej tyre të shkolluar në shkollat më të mira të Europës, por të kthyer këtu për të luftuar kundër fashizmit e nazizmit, çliruar Shqipërinë. Idealistë, komunistë, patriotë, njerëz të zakonshëm por të jashtëzakonshëm në betejën e tyre për lirinë e këtij vendi, një popull i tërë”, tha ai.
“Një Ushtri, më e madhja e më gjithëpërfshirësja, për Luftën më të madhe që ky popull ka bërë për liri. Partizanë, antifashistë, luftën zgjodhën e luftën bënë. Ky vend ishte i pushtuar, dhunuar, vrarë, kujtoni Pezën e Borovën e masakruar. Mohimi i pushtimit fashist, luftës kundër tij, çlirimit, lufta e pistë kundër Luftës, heronjve të saj këto 30 vite, nuk është një opinion, është një krim, sepse fashizmi nuk është një opinion, është një krim”, tha më tej Braçe.
Sipas tij, “partizanë, krenarë prej Luftës është një zgjedhje për gjithë jetën”. “Ashtu siç tradhtarë, bashkëpunëtorë në qeveri e krime kundër popullit, ishte një zgjedhje që u bë atëkohë dhe nuk shlyhet kurrë as me luftën kundër Luftës e as me dekorata tani. Nuk tradhtuan vetëm Shqipërinë, shqiptarët, por edhe aleatët e bërë bashkë në koalicionin më të madh ndonjëherë kundër fashizmit e nazizmit që lufta i solli këtu. Kështu u ndanë atëkohë, kështu janë ndarë edhe tani! Por kjo e sotmja është Dita e Çlirimtarëve, heronjve të vërtetë të këtij vendi. Nuk ngjajnë me kërkënd sot ata, i bëjnë hije gjithkujt me nderin, dinjitetin, idealizmin, ndershmërinë, luftën. Janë heronjtë e popullit”, tha ai.
“Nderojnë veç Luftën, Shqipërinë, kërkënd që shitet si hero, patriot, sovran që ka krijuar me mendje popullin e tij si ushtrinë e tij për pushtet. Populli ka heronjtë e tij njëherë e përgjithmonë, nuk i ndërron, nuk i shkëmben, i ka shenjtëruar me mirënjohjen e kujtesën e përjetshme. Asnjë kapaçkë pushteti nuk shton gjë për ta, thjesht shëmton! Nder përjetë çlirimtarëve”, tha Braçe.
Balla: Nderimi për dëshmorët, vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë në breza