76-vjetori i Çlirimit/ Autoritetet e larta shtetërore, homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”


TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Në nderim të kësaj dite, autoritetet më të larta të shtetit bënë sot homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve.

Presidenti, Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, bënë homazhe në një atmosferë solemne, në respekt dhe mirënjohje të veprës të dëshmorëve.

“Lavdi Dëshmorëve të atdheut”, u shpreh Kryeministri Rama.

Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dyja festat më 28 Nëntor./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.