Zv/presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kodheli: Një nder dyfish për mua, që këtë pozicion e mban një shqiptare dhe që propozimi ka ardhur prej tyre

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja e PS, Mimi Kodheli, e zgjedhur në postin e zv.presidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, është e para shqiptare që merr këtë detyrë të rëndësishme.

Gjatë një interviste televizive Kodheli, falënderoj ata që e propozuan dhe e zgjodhën.

Duke u ndalur mbi rëndësinë e këtij detyre, Kodheli tha se, “rreth viteve ’80-’90 ka qenë zonja Pelozi nënkryetare e delegacionit amerikan dhe presidente e Asamblesë dhe ajo personalisht, dërgoi një letër të gjithë kryetarëve të delegacioneve të vendeve të NATO-s ku propozonte kolegun e saj. Kështu që është një nder dyfish për mua, që këtë pozicion e mban një shqiptare dhe që propozimi ka ardhur kryesisht prej tyre”.

Duke u ndalur në rëndësinë e rolit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ajo tha se, është një parlament i madh që përbëhet nga deputetë që janë pjesë e parlamenteve respektive të vendeve aleate dhe që ka marrë një rol shumë të madh pas viteve ’90, jo sepse NATO po zgjerohej, por edhe pse roli i parlamenteve në vendet perëndimore apo të lindjes filloi të kishte një zë tjetër.

“Nuk kisha ndonjë surprize të them të drejtën për urimet. Unë në përgjithësi kam raporte të mira humane me njerëzit e politikës, si majtas dhe djathtas. Ka disa njerëz me të cilët ndaj opinione dhe debatoj dhe kam kontakte më të shpeshta. Skam pasur surpriza. Pa fund njerëz më uruan djathtas. Njerëz që sot janë brenda në parlament dhe ata që janë jashtë. Njerëz të PD dhe shumë të tjerë”, tha Kodheli.

“Asambleja është në fokus të gjithë situatës mbarëbotërore”, tha ajo.

Lidhur me perspektivat e Kosovës për t’u bërë pjesë e NATO-s, Kodheli theksoi se “Kosova ka disa detyra të mira të përcaktuara, për të cilat edhe qeveria shqiptare është në dijeni si vend anëtar i NATOS-s. Ndaj dhe hapat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, drejt Forcës së Armatosur, janë të përcaktuara, janë të shkruajtura dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse dhe vëzhguese e këtij transformimi.

Nga ana tjetër, theksoi ajo, kjo shoqërohet dhe me zhvillimet politike në rajon dhe jo vetëm. Unë besoj se Kosova i ka realizuar tashmë detyrat e shtëpisë dhe transformimi është kryer në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Pengesa politike, mosnjohja nga disa vende dhe nga vende të NATO-s, nuk e thjeshton këtë proces. Por kjo nuk do të thotë që s’do të vijë dita që Kosova të jetë anëtare me të drejtat e plota në NATO”, tha Kodheli.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.