Zbatimi i protokolleve në subjektet tregtare kundër përhapjes së COVID-19/ ISHMT kryen 198 kontrolle

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), nëpërmjet grupeve të inspektimit, ka vijuar punën në terren për garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët dhe monitorime si pjesë e Task Forcës Anti Covid.

Përgjatë javës që po mbyllet sipas ISHMT-së janë realizuar 198 kontrolle/monitorime për respektimin e masave dhe protokolleve në subjektet tregtare kundër përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Çdo shkelje e evidentuar në terren nga grupet e kontrollit, është referuar për masë administrative pranë organeve kompetente”, bën të ditur ISHMT.

Gjatë javës, janë kryer 6 inspektime mbi zbatimin e kërkesave ligjore për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, 5 inspektime për sigurinë e ashensorëve në përdorim, 6 inspektime për instrumentat matëse ligjërisht të kontrolluar, 8 inspektime për sigurinë e produkteve mekanike, 2 inspektime mbi maskat artizanale, 6 inspektime për detergjentët.

“Në fokus së punës tonë, vijon parandalimi i përhapjes së COVID-19, ndaj është shumë i rëndësishëm zbatimi i udhëzimeve të miratuara nga autoritetet shëndetësore”, deklaron ISHMT.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.