Tomini apel qytetarëve: Mos hezitoni t’i drejtoheni spitalit, nëse e rekomandon mjeku i familjes

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, duke folur për situatën e COVID-19 në vend, i bëri thirrje qytetarëve të mos hezitojnë të shkojnë në spital, nëse mjeku i familjes e këshillon.

Në një intervistë televizive, Tomini tha se “është një situatë e ndikuar edhe nga shfaqjet mediatike apo rrjetet sociale ku qytetarët mendojnë që më mirë të trajtohen në shtëpi nën kujdesin e mjekut të familjes. Një ndjenjë frike ndaj vajtjes në spital e ka sunduar popullatën. Ne bëjmë thirrje për mos hezitim të spitaleve nëse mjeku i familjes i këshillon për shtrim në spital”.

“Të mos neglizhojmë shenjat, të ndjekim sistemin e monitorimit”,, tha  Tomini, ndërsa shtoi se “jemi në një risk të shtuar sa i përket COVID-19. Kemi shfaqje të infeksioneve respiratorë të poshtme dhe të sipërme”.

Sa i përket shkollave dhe përhapjes së COVID-19, ekspertja e ISHP-së tha se “fëmijët janë transportues të virusit, por nuk kanë atë nivel transportueshmërie si të rriturit”.
“Një tjetër motiv është impakti që pati karantina. Nga ana psikologjike pati një impakt tek kjo moshë. Që nga 14 shtatori deri kur ekspertët rekomanduan Ministrinë e Shëndetësisë për këtë ndërhyrje nuk është parë një pozitivitet i ndjeshëm në totalin e pozitivitetit. Nuk ka peshë madhore, është një përqindje e vogël përkundrejt totalit”, tha Tomini./k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.