Në 108 vjetorin e Ditës së Flamurit/ Cakaj viziton Kompleksin e Memorialit të Adem Jasharit, në Prekaz të Drenicës

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Në 108 vjetorin e Ditës së Flamurit, datë që përkon edhe me ditën e lindjes së Komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, vizitoi Kompleksin e Memorialit të Adem Jasharit, në Prekaz të Drenicës.
Kryediplomati Cakaj kreu homazhe tek varret e Adem Jasharit, Hamza Jasharit dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari, vend i cili nëpërmjet fakteve konkrete flet për rrjedhën e luftës para 18 vjetëve dhe rezistencën e bërë nga kjo familje heronjsh në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe.
“28 nëntori nuk është thjeshtë festë kombëtarë. 28 nëntori është dita e kujtimit të rrugëtimit historik si komb dhe nderimit të të gjithë brezave që me punën e tyre kanë shënuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pavarësia e Shqipërisë është shpallur në Vlorë, por historia e vonë e gjithë shqiptarëve është vendosur në Prekaz. Për më shumë, sot festojmë edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili u flijua heroikisht bashkë me familjen e tij për Kosovën dhe shqiptarinë” – u shpreh Cakaj.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.