Dita e Pavarësisë/Basha: Së bashku të tejkalojmë krizën e pandemisë; Kryemadhi: Me rëndësi bashkimi i shqiptarëve

TIRANË, 28 nëntor /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në përkujtimin e ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Atdheut.

Basha vuri një kurorë me lule në Monumentin “Nënë Shqipëri” dhe më pas u shpreh se “sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare”.

Po ashtu, Basha tha se sot është një ditë feste dhe gëzimi, por ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër.

“Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë, e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. Në këto kushte, kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. Unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie dhe për të dalë më të fortë, më të bashkuar e më të vendosur. Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës”, tha ai.

Basha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë me lule në përmendoren e Ismail Qemalit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke nderuar themeluesit e shtetit shqiptar në 28 Nëntor 1912.

Gjithashtu, Basha zhvilloi homazhe te busti i Adem Jasharit në ditën e lindjes.

“Kombi shqiptar nderon sot heronjtë e pavdekshëm që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë dhe lirinë kombëtare, si Komandanti Legjendar Adem Jashari i cili lindi në 28 nëntor. 8 vjet më parë, në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe me nderet me të larta ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës, shtatorja e Adem Jasharit u ngrit në Tiranë, si simbol i mirënjohjes kombëtare dhe kujtesës së pamort për veprën e tij për lirinë e Kosovës. Adem Jashari dhe familja e tij i dëshmuan botës mbarë se për zogjtë e shqipes liria nuk ka çmim. Sakrifica e tyre sublime është frymëzim hyjnor për çdo shqiptar”, u shpreh Basha.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë me rastin e 108 vjetorit të Pavarësisë.

Ajo tha se “do të dëshiroja që të falënderoja të gjithë popullin vlonjat, për shkak të mikpritjes që i bëri Ismail Qemalit dhe të gjithë firmëtarëve të pavarësisë, ku ata ishin mikpritësit dhe krijuan këtë ditë të shenjtë për Shqipërinë, që është 28 Nëntori, dita e Pavarësisë, ku 108 vite më parë, burra dhe gra, por mbi të gjitha të gjitha mendjet e ndritura që bashkuan të gjithë shqiptarët, sfiduan të keqen e asaj kohe, që ishte lufta më e madhe përballë pushtimit, por mbi të gjitha ishte ajo që ne e quajmë fitore mbi të keqen dhe për të krijuar çdo lloj identiteti kombëtar, në mënyra nga më të ndryshmet kërkonin të zhduknin ekzistencën Shqiptare”.

Nëpërmjet këtij evenimenti dhe kësaj date të shënuar, tha ajo, ne duam të rikujtojmë edhe njëherë se është shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër ajo që themi, bashkimi i të gjithë shqiptarëve kudo që janë. “Bashkimi i të gjithë shqiptarëve nuk do të thotë thjesht bashkim si individ, por do të thotë bashkim vlerash, bashkim idesh, bashkim dashurie, solidaritet me njëri tjetrin, aq më shumë në këtë vit të mbrapshtë, që është viti i kësaj situate që ka shkaktuar pandemia. Aq më shumë, por jo më larg se dy ditë më parë u bë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ku shumë shqiptarë humbën jetën. Dhe sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për bashkimin, solidaritetin, vëllazërinë për njëri tjetrin, për t’u dhënë njerëzve shpresë, për t’u dhënë njerëzve mundësi më shumë për të jetuar dhe për ta kthyer Shqipërinë shtëpinë e të gjithë shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.