BULLGARI – Masa të reja shtrënguese drastike antiCovid-19

SOFJE, 28 nëntor /ATSH-ANSA/ – Deri më 21 dhjetor Bullgaria ka mbyllur qendrat tregtare, klubet e natës dhe restorantet, ndërkohë që do të qëndrojnë të hapura vetëm supermarketet, farmacitë, bankat dhe zyrat postare.

Për restorantet do të jetë e mundur të punohet vetëm me shpërndarjen në shtëpi.

Aktiviteti i palestrave, qendrave të fitnesit, diskotekave dhe sallave të lojërave të fatit u pezullua, shkollat ​​dhe universitetet gjithashtu u mbyllën, me mësimdhënie që kalon në sistemin online.

Ndalohen aktivitetet dhe ngjarjet sportive për të rinjtë nën 18 vjeç, ndërsa takimet sportive për të rriturit do të mbahen në mungesë të publikut.

Kongreset dhe konferencat dhe ngjarjet e tjera publike janë pezulluar, ndërsa teatrot vazhdojnë aktivitetin e tyre, por me një limit të audiencës prej 30% të kapacitetit të sallave.

Ditët e fundit, autoritetet kishin njoftuar shtrirjen e situatës emergjente të epidemisë deri në fund të janarit.

Numrat e 24 orëve të fundit në Bullgari janë 3 327 infeksione të reja dhe 151 vdekje./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.