Biznesi uli me 5% përdorimin e energjisë elektrike gjatë 3-mujorit të III, familjarët konsumuan më shumë energji

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2020, u ul me 1,9%, duke arritur vlerën 1.481 GWh nga 1.510 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2019.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 5,1%, përkundrejt rritjes me 2,5 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.280 GWh nga 1.186 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 8%.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,4%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,8% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.