90% e gështenjave që grumbullohen eksportohen kryesisht në Itali

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/Gështenjat janë ndër kënaqësitë e vogla të dimrit, sido që preferojmë t’i përgatisim, në receta gatimesh, të ziera apo të pjekura.

Frutat e buta e me shije të mrekullueshme, janë edhe mjaft të shëndetshme pasi kanë përmbajtje të lartë vitaminash dhe vlerash ushqyese.

Zona veriore e vendit ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë. Prodhimi natyralisht organik i tyre në zonën e Alpeve ku ato rriten, i bën unike në shije dhe mjaft të kërkuara nga tregu.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, rreth 90% e gështenjave që grumbullohen, eksportohen në tregjet e Bashkimit Europian, kryesisht në Itali.

Sipas MBZHR, për herë të parë në këto vitet e fundit në Shqipëri, po kryhet procesi i mirëmbajtjes dhe ruajtjes së këtij prodhimi, me mënyrat më efikase si në çdo vend të BE-së.

Gështenja, burimi i pasur i ekonomisë rurale në veri, kërkon një kujdes të veçantë. Puna ka nisur dhe gështenjat e vendit, së bashku me mjaltin plot vlera të rralla kurative sjell më shumë të ardhura për familjet e zonës më veriore të vendit.

Kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet.

Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth Alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkëlzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt.

Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë

Gjithakshtu edhe Kukësi është një zonë e rëndësishme në prodhimin e arrorëve, krahas rrethit të Dibrës, Pukës, Shkodrës, Bulqizës, Librazhdit dhe Matit që janë prodhues të konsiderueshëm të varieteteve të gështenjës.
Ndërsa gjenotipi “Puka”, varietet i zonës së Reçit, ka një avantazh cilësor në prodhimin e gështenjës dhe rreth 50% e prodhimit eksportohet në Itali.
Eksportet e gështenjave “Made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë tonë, me një vlerë deri në 8 milionë euro.
Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet, falë edhe mbështetjes që po adreson qeveria përmes Skemës Kombëtare.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.