Siguria ushqimore/ AKU kryen 608 inspektime dhe monitorime në 24 orët e fundit

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon në terren kontrollin dhe monitorimin e bizneseve për zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Sipas AKU-së, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 608 inspektime dhe monitorime dhe janë këshilluar 670 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë.
“Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 5 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, bën të ditur AKU.
Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 7 mostra në monitorim të produktit qumësht.
AKU si pjesë e taskforcës vijon me monitorimet në të gjitha kategoritë e bizneseve për zbatim të protokolleve. Gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.