SHBA – Trump: Largohem nga Shtëpia e Bardhë nëse konfirmohet fitorja e Biden

UASHINGTON, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi sot se do të linte “sigurisht” Shtëpinë e Bardhë, nëse fitorja e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale do të konfirmohet zyrtarisht, ndërsa përsëriti se ai mund të mos e pranonte humbjen e tij.

I pyetur nëse ai do të largohej nga Shtëpia e Bardhë në rast të një votimi nga Kolegji i Votuesve Elektoralë duke konfirmuar fitoren e demokratit, republikani theksoi “sigurisht që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë”.

“Por, nëse e bëjnë, ata do të bëjnë një gabim, dhe kjo do të jetë diçka shumë e vështirë për t’u pranuar”, shtoi ai.

“Pati një mashtrim masiv”, theksoi Trump edhe një herë për rezultatin e zgjedhjeve, pa dhënë asnjë provë.

Është hera e parë që Donald Trump i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve që prej zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor. Që prej kësaj date ai është shprehur se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara dhe ka ndërmarrë shumë procedura gjyqësore në disa shtete, të gjitha të hedhura poshtë.

Gjatë konferencës së tij për shtyp me rastin e Ditës së Falënderimeve, Trump theksoi se infrastruktura zgjedhore e SHBA-së ishte si një vend i botës së tretë.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden theksoi nga qyteti i tij i lindjes Wilmington, Delaware: “Në Amerikë kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ne respektojmë rezultatet. Njerëzit dhe ligjet e këtij vendi nuk do të pranojnë asgjë tjetër”./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.