Rindërtimi në Fushë-Krujë/ Marrin formë banesat individuale, në pak javë nisin themelet për 15 pallate banimi me 100 apartamente

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e lagjes së Rilindjes në Fushë-Krujë, ku vijon papushim puna për ndërtimin e banesave për familjet e mbetura pa shtëpi në natën tragjike të 26 nëntorit.

Rama tha se “po marrin formë banesat individuale dhe në pak javë nisin themelet për 15 pallate banimi me 100 apartamente, të cilave do t’u bashkëngjiten qendra shëndetësore, zyrat e shërbimeve, zonat e gjelbra dhe një treg modern për produktet e zonës”.

“Lagjja ‘Rilindja’ shtrihet në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin deri një vit më parë. Qentë le të lehin, karvani do të ecë më shpejt përpara”, tha Rama.

Ndërkohë ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj theksoi se “këtu puna ka ecur me ritme shumë të shpejta”. “Në kompleksin e rindërtimit në Fushë Krujë ka një kombinim me 128 banesa individuale. Kemi edhe 100 banesa kolektive, apartamente. Këtu jemi shumë afër mbarimit. Deri në fund të këtij viti do të jenë 50 nga këto banesa të dorëzuara me çelësa në dorë dhe brenda afateve të kontratës do të dorëzohet e gjithë zona”, tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se “kjo do të jenë një nga zonat më të bukura të rindërtimit. Kryetari i bashkisë ka filluar edhe procedurën e përzgjedhjes së familjeve prioritare në bazë të ligjit që do të banojnë këtu. Kombinimi i punës shumë të kujdesshme me infrastrukturën do ta bëjë këtë zonë shembullin e rindërtimit”.

Ahmetaj tha se “janë 100 apartamente që do të ndërtohen 64 prej të cilave 1+1 dhe pjesa tjetër janë 2+1”./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.