Rindërtimi/ IKMT shpërthim të kontrolluar në pallatin 9-katësh në Durrës

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, do të shembi sot me shpërthim të kontrolluar një pallat 9 katësh në Durrës, në njësinë administrative nr. 3, rruga “Hysen Myshketa” Durrës, i cili është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

IKMT njofton se në kuadër të programit të rindërtimit, këtë të premte do të shembet me shpërthim në Durrës një pallat 9-katësh, i cili u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti që tronditi vendin 26-nëntorin e vitit 2019, një tërmet që i mori jetën 51 personave, duke shkaktuar dhe dëme të mëdha ekonomike.

IKMT njofton se për shembjen e objektit, në trupin e objektit janë hapur 1 100 furnela dhe është vendosur një sasi prej 40 kg lëndë plasëse dhe parashikohet që detonimi të bëhet në orën 13:00 të pasdites.

Bashkia e Durrësit njofton se në aksionin që pritet të zhvillohet sot nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), do të marrin pjesë dhe forcat xheniere të ushtrisë, teksa i bënë thirrje banorëve dhe bizneseve të zonës të marrin masat e duhura.

“Për arsye sigurie njoftojmë të gjithë bizneset dhe banorët e banesave që ndodhen pranë këtij pallati që duke nisur nga ora 12.00 deri në orën 18.00 të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre”,- bënë të ditur Bashkia e Durrësit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.