Punë mbresëlënëse në kantierin e rindërtimit në Thumanë/ Ndërtohet një qytet i ri, mbi 3 mijë banorë hyjnë në shtëpitë e reja

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot mbresëlënëse, punën në kantierin e Rilindjes së Thumanës për banesat individuale, infrastrukturën rrugore, pallatet, shkollën, kopshtin, ambulancën, njësitë e shërbimeve publike si edhe qendrën e re komunitare së bashku me terrenet sportive e parqet.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj inspektuan sot punimet që po kryhen në kuadër të Programit të Rindërtimit në Thumanë.

Ahmetaj theksoi se “këtu puna ka avancuar në të dyja projektet”. “Në projektin e infrastrukturës në një pjesë ka filluar dhe asfaltimi, ndërkohë që fondacioni ‘Firdeus’ ka filluar punën e vet. Ato janë shtëpitë individuale që po bëhen me kontributin e fondacionit ‘Firdeus'”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se “ky është një investim i përbashkët i buxhetit të shtetit nga njëra anë, dhe fondacionit nga ana tjetër”.

“E gjithë infrastruktura është investuar nga buxheti i shtetit dhe është bërë gati për shtëpitë individuale”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, “zona është me hapësira publike dhe infrastruktura me standarde europiane”.

“Kjo është një ndër zonat më të goditura bashkë me Durrësin. Kjo zonë është komplet e re. Aty do të jenë 155 banesa ku do të strehohen më shumë se 700 banorë, do të ketë shkollë. Po ashtu janë 278 apartamente, janë mbi 3 mijë banorë që do të futen në shtëpi të reja, pra një qytet i ri”, tha Ahmetaj./m.m/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.