Programi IPARD III/ Masat e reja zgjerojnë gamën e mbështetjes për fermerët

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Shqipëria përgatitet për programin IPARD III që adreson masa të reja mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përgatit strukturat përkatëse për zbatimin e Programin IPARD III dhe fishat e masave te reja.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural Frida Krifca bëri të ditur se në videokonferencën e zhvilluar sot mes strukturave administruese të programit IPARD për vendet e Ballkanit Perendimor dhe Turqisë, u diskutua mbi përgatitjet e strukturave për Programin IPARD III dhe fishat e masave të reja.

“Ndërkohë që administrojme IPARD II për të alokuar fondet tek fermeret, punojmë me masat e reja të cilat do ta zgjerojnë gamën e mbështetjes që ky program fantastik ofron për zhvillimin bujqësor dhe rural në vend”-shprehet Krifca.

Ndërkohë pak kohë më parë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njofton thirrjen III, për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të programit IPARD nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit Agroushqimor.

Krifca bëri të ditur se thirrja III për aplikime është e hapur për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural në masën 1 “investimet në asete fizike në fermat bujqësore” në sektorët e mëposhtëm qumësht, mish, fruta-perime dhe vresht dhe masën 3 ”investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” vetëm në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve.

Objektivat e masave të Programit IPARD II të përzgjedhura janë në përputhje me objektivat e dokumentit strategjik kombëtar (DSK) dhe kontribuojnë për mbështetjen e investimeve në sektorin agroushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

“Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milionë euro nga të cilat 75% ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit”, tha Krifca.

Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të
pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë, nuk duhet ta kalojë vlerën prej
1 500 000 euro për të gjithë kohëzgjatjen e periudhës së programit.

Dorëzimi i aplikimeve, tha Krifca, fillon nga data 10 dhjetor 2020 deri në datën 25 janar 2021. Aplikimet duhet të dorëzohen në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.