Pogradec/ Masa në zbatim të rekomandimeve të UNESCO-s për menaxhimin e liqenit të Ohrit

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Komiteti Ndërshtetëror për Menaxhimin e Pellgut Ujëmbledhës të liqenit të Ohrit, organizoi sot një takim online mbi prezantimin e draftit të planit të menaxhimit të basenit të Liqenit të Ohrit.
Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli theksoi disa prej masave të ndërmarrë nga ana e bashkisë Pogradec në kuadër të rekomandimeve të UNESCO-s, që kanë konsistuar kryesisht në zbatimin e investimeve të reja për sa i takon sistemimit të ujërave të zeza.
“Investime janë kryer në fshatin Gurras lidhur me sistemimin e ujërave të zeza. Ndërsa janë ndërtuar prita në lumenjtë kryesorë të qytetit për parandalimin e derdhjeve të mbetjeve inerte”, – tha Xhakolli.
Gjithashtu theksoi si, janë vendosur rrjeta në grykëderdhjet e 7 lumenjve për parandalimin e derdhjes së mbetjeve urbane në liqen.
Ndërsa një tjetër projekt, i cili do të zbatohet në vijim, ka të bëjë me sistemimin e ujërave të zeza në fshatrat e njësive administrative Buçimas dhe Hudënisht.
Diskutimet u përqendruan në një program masash dhe prioritetesh të cilat përbëjnë interes më të madh për Komitetin Ndërshtetëror të Menaxhimit të Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Ohrit. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.