“PD të ndalojë intrigën e të fillojë vetërrëfimin”/ Zv.ministri Koçi: Helikopterët në përputhje me ligjin, jo si në kohën kur drejtonte shefi i shtabit të shpifjeve

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, reagoi sot pas publikimit të videos nga Partia Demokratike, e cila pretendon se ministrja Olta Xhaçka ka udhëtuar drejt Dibrës me helikopter për takime elektorale, duke theksuar se “helikopterë përdoren nga ministrat në përputhje me ligjin dhe vetëm për punë dhe jo për të shkuar me pushime, siç përdoreshin në kohën e demokratëve”.
Në një reagim, ministri Koçi theksoi se “helikopterët e FA nuk janë përdorur kurrë që nga viti 2013 e deri më sot, as nga ministri, as nga zëvendësministri, e as nga askush tjetër për fushatë. Janë përdorur, vetëm për punë e për detyra funksionale, kur përdorimi i helikopterit është një e drejtë që ministrit apo kujtdo tjetër ia njeh ligji! Prej 2013-ës e këtej, helikopterët e FA-së nuk janë përdorur kurrë as për të transportuar në fushata ministra e kryeministër, siç ndodhte në kohën e Berishës president apo Berishës kryeministër”.
“Nuk janë përdorur kurrë për të çuar fëmijët, familjarët apo të afërmit e kryeministrit apo ministrit për pushime e sebepe, vizita familjare si në kohën e këtyre që flasin sot, nuk janë përdorur kurrë për të kërkuar thesare siç bënin paturpësisht këta që flasin, nuk janë përdorur kurrë helikopterët e ushtrisë për të transportuar Miss-e apo për të bërë videoklipe këngëtarësh, si në kohën e këtyre që flasin. Dhe nuk janë përdorur kurrë as mjetet e tjera e as efektivët e FA-së siç ndodhte në kohën kur Shtabin e drejtonte shefi i shtabit të shpifjeve në PD për të hapur me nxitim rrugë elektorale meqë PD-në e kishte zënë halli i rënies nga pushteti”, – nënvizoi Koçi.
Zv.ministri Koçi tha se “këta të rinjtë e pudrosur e të katapultuar në karrige vetëm për të folur, pa ditur se ç’thonë, duhet të mësojnë të shkuarën e familjes politike ku militojnë. Është koha që PD të kërkojë falje dhe jo llogari. Është koha që PD të ndalojë intrigën e të fillojë vetërrëfimin”.

Ditën e sotme, ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi ka publikuar një video me anë të së cilës pretendon se ministrja Olta Xhaçka po e përdor helikopterin për të shkuar në takime elektorale në Dibër.

“Ministrja Xhçka ka udhëtuar me helikopter brenda ditës për takime partie, duke harxhuar të paktën 10 mijë euro, ndërkohë që ambulancat para Infektivit ndizen me të shtyra”, – tha Vokshi./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.