Më 4 dhjetor hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të KED

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të organizojë hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) në 4 dhjetor ora 11:00, njoftoi sot zyra për shtyp e Presidentit të Republikës.

Sipas njoftimit rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim e Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

“Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftim.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, do të jetë  në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që, në momentin e hedhjes së shortit në datë 4 dhjetor 2020, ora 11:00, sipas ligjit të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj”, theksohet në njoftim.

“Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit”, shton njoftimi.

“Duke mbajtur në konsideratë nevojën për respektimin e protokolleve shëndetësore dhe rregullave për shkak të situatës pandemike Covid-19, Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre. Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias on line etj”, thekson Presidenca.

“Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar që momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur ndjekja live dhe në kohë reale e procesit. Kjo për të bërë të mundur që ky proces të ndiqet nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku, që për shkak të akteve ligjore në fuqi për shkak të pandemisë, nuk e kanë të mundur ta ndjekin drejtpërdrejtë nga salla procesin e hedhjes së shortit”, theksohet në njoftim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.